fbpx

Mbi 1 miliard njerëz në botë janë mbipeshë, sipas OBSH

nga Revista Kosovarja

Numri i njerëzve obezë në të gjithë botën i ka kaluar 1 miliard, kjo sipas një studimi të fundit të publikuar në “The Lancet”. Elementi më shqetësues, përveç shifrave, është fakti që mbipesha si fenomen po prek fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit, duke bërë që shifrat të kapërcejnë në çdo cep të botës.

Obeziteti, i përcaktuar nga një indeks i masës trupore (BMI) shihet ndryshe si një formë e kequshqyerjes në shumë vende. Shifrat e obezitetit janë rritur dy herë më shpejt te fëmijët dhe adoleshentët në nivel global, krahasuar me të rriturit.

Studimi analizoi matjet e peshës dhe gjatësisë së mbi 220 milionë njerëzve në 200 vende mes periudhës së viteve 1990 dhe 2022. Në vitin 2022, rezultatet treguan se më shumë se 879 milionë të rritur jetojnë me obezitet mes tyre 504 milionë gra dhe 374 milionë burra. Numri aktual është katër herë e gjysmë më i lartë se shifrat e regjistruara në vitin 1990.

 

Për fëmijët dhe adoleshentët, vlerësimet treguan se 159 milionë prej tyre u prekën në vitin 2022 nga obezitetit, një rritje e ndjeshme kjo krahasuar me 31 milionë të regjistruar tridhjetë vjet më parë.

“Është shumë shqetësuese që epidemia e obezitetit që ishte e dukshme tek të rriturit në pjesën më të madhe të botës në vitin 1990, tani pasqyrohet te fëmijët dhe adoleshentët e moshës shkollore,” thotë Majid Ezzati, profesor në “Imperial College London”.

Mbipesha është një gjendje kronike dhe komplekse që i vë njerëzit në një rrezik në rritje të sëmundjeve të tilla si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare si dhe disa lloje kanceri.

“Ky studim i ri thekson rëndësinë e parandalimit dhe menaxhimit të obezitetit nga jeta foshnjore deri në moshën madhore, përmes dietës, aktivitetit fizik dhe kujdesit sipas nevojës,” u shpreh, Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.

Ekspertët janë në një mendje kur thonë se për të krijuar një botë më të shëndetshme, lind nevoja për politika gjithëpërfshirëse për të adresuar këto sfida.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]