Filmi “Nëntori i Dytë” konsiderohet një nga veprat epike dhe historike më të rëndësishme të kinemasë shqiptare.
Ai film është gjithashtu një dëshmi artistike e ngjarjes më të rëndësishme të krijimit të shtetit shqiptar, siç është shpallja e pavarësisë.
I kryer në jubileun e 70 të pavarësisë, filmi pati edhe një konotacion të rëndësishëm politik, pasi bëhej një vit pas demonstratratave të vitit 1981 në Kosovë dhe synonte një ushqim të ndjenjave kombëtare të shqiptarëve jashtë kufirit zyrtar.
Me “porosinë” nga lart për të bërë një film kult mbi themelimin e shtetit shqiptar u mor vetë Ramiz Alia, i cili mbulonte kulturën e propagandën në kupolën e PPSH-së në atë kohë.
Filmi ju dha në dorë një kaste mjeshtrash të niveleve të larta, me super-regjizorin Viktor Gjika dhe emrave më të mëdhënj të aktrimit shqiptar që do të luanin baballarët e kombit; Sandër Prosi-Ismail Qemalin, Reshat Arbana-Isë Boletinin, Bujar Lako-Luigj Gurakuqi, Viktor Zhusti-Pandeli Sotirin, Robert Ndrenika-“shoferin” e Ismail Qemalit, Pandi Raidhi-Demir Arbanën, Ilia Shyti-mullain e Beratit, Guljem Radoja-truprojën e Ismail Qemalit etj.
Filmi u bë gati për përvjetorin e pavarësisë dhe rezultoi një kryevepër, pasi edhe sot pas 38 vjetësh, ai mbetet një nga filmat më të shikuar e admiruar nga publiku.
Por në mënyrë të “çuditshme”, këtij filmi ju hoq ndoshta pjesa më e rëndësishme e tij ku fliste për luftën mes shqiptarëve dhe serbëve, ku përfshihej figura e luftëtarit të madh shqiptar, Isa Boletini, i cili u luajt mjeshtërisht nga Reshat Arbana.
Regjizori Gjika, së bashku me skenaristët: Dhimitër Shuteriqi e Kiço Blushi, kishin hartuar një episod “aksion”, por edhe supermetaforik, që përshinte jo vetëm një skenë lufte, por edhe një mesazh të fuqishëm politik.
Sipas episodit: Isa Boletini, pas masakrës së një kontigjenti ushtarak serb në Drenicë, hakmerret ndaj trupave të Beogradit, sulmon regjimentin, vret një numër ushtarësh dhe kap rob naçallnikun serb, pra komandantin e regjimentit ushtarak që drejtonte fushatën ndëshkimore.
Naçallniku i përgjërohet Isës që t’i shpëtojë jetën, duke i thënë se në Beograd atë mund ta mbulonin me ar. Isa(Reshat Arbana), duke dredhur duhan, nuk e kthen kokën por urdhëron: të pushkatohet! Oficeri serb vijon sërish përgjërimin, e Isa jep urdhërin e dytë: Të varet!
Një episod që tregon live një marrëdhënie reale lufte që pak jepet në film, por edhe përcjell një mesazh të fortë që i drejtohet natyrisht të gjithë shqiptarëve matanë kufirit. Ndoshta episodi që pritej të konsiderohej më i forti pas aktit të shpalljes së Pavarësisë nga Ismail Qemali.
Filmi në premierën paraprake në Kinostudio jep efekt të fuqishëm dhe konsiderohet një kryevepër. Por pas shfaqjes së filmit me përfaqësuesit e kupolës që vlerësonin “përputhshmërinë politike” ndodh një ngjarje e papritur.
Një përfaqësues i KQ të PPSH-së, urdhëron të hiqet episodi i Isës që hakmerret ndaj serbëve, me argumentin se jep një “mesazh të egër dhe agresiv të shqiptarëve”. Regjizori Gjika dhe skenaristët Shuteriqi e Blushi mbrojnë variantin fillestar, duke bërë të ditur se jo vetëm shprehet realiteti por tregon edhe një ndjenjë më shumë vetëmbrojtjeje e dinjiteti kombëtar sesa agresion.
Pasi Isa kundërveproi pas masakrës ndaj fëmijëve, grave e pleqve, si dhe djegies së fshatrave prej ushtrisë serbe. Por urdhëri ishte i parevokueshëm.
Nejse, episodi u hoq e pikëlloi natyrisht krijuesit, por mbi të gjitha Reshat Arbanën, i cili portretin e Isë Boletinit e kishte rolin e jetës. Dhe ai episod i hiqte jo vetëm nga pikëpamja sasiore por edhe në atë cilësore, peshën e rolit në film, i cili reduktohej në vetëm pak sekuenca.
Kalojnë vite, dhe në vitin 1990, kur regjimi komunist merr tatëpjetën, Ramiz Alia i kërkon Viktor Gjikës ta shtojë episodin e hequr në film, e me gjithë dëshirë regjizori shkon ta tërheqë në arkiv për të kryer rimontazhin, por nuk e gjen askund. Filmi, i cili ishte autentik pa një kopje tjetër ishte asgjësuar. Kush e bëri këtë?
Madje u ngrit edhe një grup hetimi për këtë çështje dhe u mësua se “grabitja” ishte kryer në ditët e trazuara të rrëzimit të sistemit komunist në vend. “Çuditërisht” një nga viktimat e “luftës ndaj komunizmit” kishte qenë pikërisht Isa Boletini. Siç mësohet, një hetim zhvilloi edhe kundërzbulimi shqiptar, i cili kishte prej kohësh informacione për një veprim të strukturave të UDB-së në zemër të udhëheqjes së regjimit komunist e më poshtë në të gjithë shtetin.
Sipas kundërzbulimit, që nga urdhëri i dhënë për censurimin deri tek zhdukja e pelikolës kishte qenë një skenar ku UDB kishte vepruar në mënyrë energjike.
Ramiz Alia, publikisht as nuk e përmendi këtë episod, por as nuk dënoi fajtorët, ndërkaq, që i vetmi që e ka bërë prezent ka qenë aktori Reshat Arbana, i cili në Kosovë e viset shqiptare nuk thirret me emrin e tij por si Isë Boletini.
Aktori i Madh, ka shprehur pezmin e dhimbjen për këtë episod, por natyrisht nuk ka folur për kontekstin politik, pasi siç dihet Reshati është natyrë e tillë që kurrë nuk është përzier me politikën, për të ruajtur figurën e tij kaq të respektuar nga publiku.
Filmi “Nëntori i Dytë” rezultoi një zjarr në Kosovë, pasi dha një efekt të madh në zgjimin e ndjenjave kombëtare dhe çfarë është më e rëndësishmja, rasti i episodit të hequr u mor vesh nga shqiptarët e Kosovës, pasi ishin vetë autoritetet serbe që përhapën lajmin se arritën të vepronin në zemër të regjimit të Tiranës, në zemër të përpjekjes për të krijuar kushtet e kryengritjes në Kosovë.
UDB, siç doli më vonë shpenzoi 15 milionë dollarë për agjenturën në Shqipëri, çka u tha nga një deputet radikal që ju drejtua Sllobodan Milosheviçit, se ku u shpenzuan gjithato para e në fund, nuk e shuan përpjekjen e Tiranës për nxitjen e kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës…/Pamfleti