O Zot…
Ç’janë këto fjalë kundër njëri-tjetrit, shqiptari kundër shqiptarit, individi kundër individit, njëra parti kundër tjetrës, spiuni – bashkëpunëtori i UDB-ës, kundër disidentit politik, tradhtari kundër patriotit, frikacaku kundër luftëtarit të lirisë, i pafeu kundër besimtarit, i padituri kundër të dijshmit, tallaveja kundër traditës, i pavleri kundër vlerës, e…
Ç’po ndodh kështu te ne, me ne?
Kudo, kah do, në gazeta, portale të përditshme, sheh, lexon e tmerrohesh prej shkrimeve, të cilat të fusin dyshime gjithfarë, ta shkelin e përbuzin ëndrrën, idealin, synimin…
Dhe, të bie në mend Fishta e fjalët e tij:
“…le ta di bota mbarë se unë më s’jam shqiptar!”.
Të bie në mend i madhi Konicë e fjalët e tij: “Armiku i shqiptarit është shqiptari!”.
Të bie në mend Noli e fjalët e tij: “Shqiptari natën të bën tradhtar e ditën patriot!”.
Këto janë thënë para njëqind vjetësh.
E keqja që janë aktuale edhe tash, pas kaq vitesh…
Aq më e keq, edhe pas gjithë atyre sakrificave, përjetimeve, çfarë rrallë ka popull në botë që i ka përjetuar, ende nuk u korrigjuam as nuk mësuam gjë…
O Zot!
Çka? Pse? Ku jemi, ç’jemi duke bërë?
Ç’po i bëjmë vetes?
Ku fjalët, veprat e amanetet e të parëve tanë, që e ujitën me gjak këtë tokë brez pas brezi?
Ku edhe amanetet e dëshmorëve të luftës sonë të fundit?
Çka po bëjmë për shtetin e ri të Kosovës?
Çka po bëjmë për veten, çka po bëjmë për brezin e ri?
E pëlqyer thënia:
Hedhin serbët një gur n’ujë, e zhytën njëqind budallenj shqiptarë e s’e nxjerrin dot… Gani Dili |Kosovarja|