Ka filluar marshimi i pjesëtarëve të komunitetit LGBTQI+.
“Parada e Krenarisë” së këtij komuniteti ka filluar sot, ndërsa pritet të zhvillohet për një javë rresht.
Nga sheshi “Skënderbeu” ka filluar marshimi ndërsa do të vazhdojë deri tek “Pallati i Rinisë”.
Në këtë paradë po marrin pjesë edhe zyrtarë të shumtë shtetërorë.
Aty janë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, deputeti Dimal Basha, ish-presidentja Atifete Jahjaga si dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë Tomáš Szunyog, si dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Gjithashtu në paradë po marrin pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e zyrtarë të tjerë të LDK-së.
Ambasadori Hovenier ka thënë se të drejtat e komunitetit janë të drejta të njeriut.
“Për t’i bashkuar paradës së krenarisë ne jemi këtu për të treguar mbështetjen për komunitetin LGBTI+, sepse besojmë fuqimisht që drejtat e komunitetit, janë të drejta të njeriut. Shpresoj që nuk do të bëhem rrëfimi i sotëm, por do të shohim kolegët e mi, pjesëtarë të shoqërisë civile, qytetarët e Kosovës duke marshuar. Do ta them sërish, të drejtat e LGBTI+, janë të drejta të njeriut”, ka thënë ai.
Për t’u përkujdesur për sigurinë në sheshin “Skënderbeu”, zyrtarët policorë kanë kontrolluar gjithë vendin bashkë me njësinë K-9.